
Kryeministri Albin Kurit ka premtuar se me marrjen e mandatit të ri, do të ndahen mbi 1 miliard euro buxhet për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, Kurti tha se kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme, pavarësisht pengesave si pandemia apo inflacioni pas luftës në Ukrainë.
Teksa foli për buxhetin në ushtri dhe rezultatet e arritura, Kurti shtoi se do të kenë edhe fabrikë municionesh dhe dronë ushtarakë "Made in Kosova".
“Buxheti për ushtrinë është trefishuar, trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar, përfshirë këtu dronët Bayraktar luftarakë dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municioneve”, tha Kurti.
“Në mandatin e ri, ushtrisë do t’ia ndajmë mbi 1 miliard euro, do të kemi fabrikë të municioneve dhe dronë ushtarakë ‘Made in Kosova’, pra që i prodhojmë vet”, shtoi ai.
Më 2024, buxheti i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ishte 153 milionë, ndërkaq këtë vit ai është 207.8 milionë. Paralajmërimet për rritjen e buxhetit për mbrojtje vijnë në kohën kur Forca e Sigurisë së Kosovës po vazhdon procesin e transformimit në ushtri, dhe në kohën kur shteti po ndërmerr hapa për të forcuar mbrojtjen e saj.
Mbledhjen e qeverisë e nisi me shqetësimin në lidhje me katër vrasjet e ndodhura në tri ditët e fundit në Kosovë. Kurti para kabinetit qeveritar tha se duhet reflektim shoqëror për të adresuar dhunën që po ndodh dhe ftoi institucionet për drejtësi të bëjnë analizë.