
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për anulimin e votave me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, në kuadër të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
LVV-ja kërkoi të anulohen 18,933 vota, ndërsa sipas vendimit të Supremes, ankesa cilësohet si e pabazuar. Në vendim Supremja ka theksuar se nuk janë shkelur të drejtat e qytetarëve për të votuar, edhe pse ka pasur pretendime për shkelje të mundshme.
“Refuzohet e pathemeltë ankesa e parashtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Anr.641/2025, të datës 19.03.2025.
Në këtë kontekst Gjykata Supreme e pranon në tërësi arsyetimin e dhënë nga PZAP, lidhur me mungesën e provave për të bazuar pretendimet e parashtruara dhe lidhur me referencat ligjore për bazën e refuzimit të ankimit të parashtruar në PZAP, në këtë rast me referencë në nenin 117 paragraf 3 dhe 118 paragraf 1 të LZP-së."
Lëvizja Vetëvendosje dërgoi ankesë në Gjykatën Supreme, të cilën ia hodhi poshtë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa të mërkurën lidhur me pretendimet për manipulim të votave të ardhura me postë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërkohë, kujtojmë se ditë më parë, Gjykata Supreme Gjykata tefuzoi kërkesën e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK) kundër shpalljes së rezultateve përfundimtare për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi më 15 mars rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit në mes të kritikave për vonesa. Pas kësaj, partitë politike patën të drejtë të ankohen brenda 48 orëve.