
Një varr masiv është zbuluar në Kosovë ku janë gjetur trupat e 11 personave të zhdukur nga masakra e Kralanit gjatë luftës. Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka dhënë detaje tronditëse për krimet e kryera nga forcat serbe dhe përpjekjet për fshehjen e tyre.
Kurti shprehet se forcat shtetërore të Serbisë kishin rrëmbyer trupat e viktimave dhe i kishin groposur në varreza masive, me qëllim zhdukjen e gjurmëve dhe provave të krimeve.
“Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat”, shkruan Kurti.
Në varrezën masive të zbuluar këto ditë në Bishtazhin janë identifikuar trupat e 11 personave:
Adem Gashi
Sahit Gashi
Bekim Hasani
Sheremet Ismajli
Mentor Myrtaj
Osman Fejza
Shkelzen Hajdaraj
Bekim Gashi
Sabedin Kryeziu
Mentor Kryeziu
Vehbi Halilaj
“Plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë”, thekson Kurti.