Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua sot në Beograd me të dërguarin special të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Trokaz, dhe me atë rast tregoi se Prishtina do të shpërblehet me anëtarësimin në Këshillin e Evropës për politikën e saj të diskriminimit dhe presioni në rritje ndaj popullit serb në Kosovë.
Vuçiq, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka falënderuar Francën për mbështetjen që i jep Serbisë si në rrugën evropiane ashtu edhe në procesin e dialogut me Prishtinën, duke përfshirë respektimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura. Ai theksoi se takimi i sotëm me Trokazin është vazhdim i bisedimeve që ai ka pasur në Paris me presidentin francez Emanuel Makron dhe zyrtarë të tjerë të lartë francezë.
“Biseduam për situatën në rajon, situatën aktuale gjeopolitike dhe të gjitha sfidat me të cilat përballen dy vendet në fushën e sigurisë dhe ruajtjes së rendit juridik ndërkombëtar. Në mënyrë të veçantë theksova absurditetin e të ashtuquajturit anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, me të cilin Prishtina, e cila vazhdimisht i shpërfill të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, do të shpërblehej praktikisht për politikën e saj të diskriminimit dhe presionit në rritje ndaj popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, tha Vuçiq.
Ai tha se Serbia është një partner serioz dhe i përgjegjshëm që e mban fjalën dhe i qaset në mënyrë konstruktive zgjidhjes së problemeve të përbashkëta, gjë që, shton ai, e pret nga bashkëbiseduesit e tij.
View this post on Instagram