Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Serbi duket se është drejt fitores në zgjedhjet e përsëritura në Beograd, si dhe në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në qytete të tjera. Zgjedhjet në Beograd u përsëritën sepse s’kishte fitues të qartë në ato të dhjetorit.
Por opozita është ankuar për parregullsi në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi, duke bërë që mjedisi politik të vazhdojë të jetë i tensionuar në vend.
“Kjo është... një fitore e jashtëzakonshme”, tha Vuçiç në një konferencë për media, duke shtuar se partia e tij do ta ketë shumicën në Asamblenë e Qytetit të Beogradit, e cila ka 110 ulëse, si dhe në Novi Sad.
Megjithatë, Manojlloviq tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve.
“Këto janë zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, tha ai mbrëmjen e 2 qershorit.
Ndërkohë, Ardita Sinani nga Partia për Veorin Demokratike shpalli fitoren në Preshevë. Nga rezultatet e bëra me dije deri më tani PVD mori 4078 vota. Në një fjalim para mbështetësve Sinani u premtoi votueseve se do të udhëheq me përgjegjësi e këmbë në tokë me komunën e Preshevës.
“Me mençuri politike kemi dëshmuar se dimë me udhëheq të gjitha proceset për 30 vite, ky proces ishte shumë i rëndësishëm. Dhe me maturi e me këmbë në tokë duhet ta qeverisim për katër vitet e ardhme, andaj me këtë fitore bindëse më keni ngarkuar me një përgjegjësi për të udhëheq me komunën e Preshevës. Urime me fat”, u shpreh Sinani, duke u përcjellë më tej votuesve dhe përshëndetjet e kryeministrit Albin Kurti.
Dalja në zgjedhje ishte më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Beograd, pasi disa parti opozitare vendosën të mos marrin pjesë, duke pretenduar se nuk kishte kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike.
Koalicionet opozitare Serbia kundër Dhunës dhe Shpresa e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje votash në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ku u gjetën parregullsi të shumta nga misionet vëzhguese vendore dhe ndërkombëtare. Autoritetet serbe vazhdimisht e kanë mohuar se ka pasur ndonjë parregullsi serioze në zgjedhje. Por, vëzhguesit dhe partitë opozitare në zgjedhjet e 2 qershorit raportuan përsëri për parregullsi gjatë ditës.
Misioni joqeveritar vëzhgues CRTA tha se i ka bërë shtatë ankesa penale për dyshimet se ka pasur parregullsi në qendrat e votimit, duke thënë se anëtarët e saj kanë incizuar incidente të transportimit të organizuar të votuesve në qendrat e votimit dhe se ka pasur këmbim të votës për para. Anëtarët e opozitës raportuan se qendrat e thirrjeve u përdorën nga SNS-ja për t’i blerë votuesit dhe se ato përmbajnë lista alternative.