Gjykata Themelore e Ferizajt ka caktuar një muaj paraburgim Valon Aliut, i cili është autor i vrasjes së ish-bashkëshortes 21-vjeçare dhe plagosjes së kunatit të tij të mitur.
Ndaj tij rëndojnë akuza për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari I procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se me datë 12 Prill 2024, rreth orës 14:40, i pandehuri brenda zyrës së Qendrës për Punë Sociale në rr.”Vëllezërit Gërvalla”, në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar duke e goditur disa herë me armë plumba në kokë, ndërsa ka shtënë edhe në drejtim të miturit D.C (vëllai i të ndjerës) duke e plagosur në krahë.
Po ashtu ka vlerësuar se i pandehuri në kundërshtim me ligjin për armët, pa autorizim ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit Zoraki M 2906-T, me numër serik ZRAGY02 201100027 cal.9mm, me një karikator të zbrazur, e cila me date 12 prill i është konfiskuar nga Policia.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.A, e ka aprovuar si të bazuar conform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Si ndodhi krimi i rëndë?
21 vjeçarja Erona Cokli 21 u vra në objektin e Qendrës për Punë Sociale. Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka dhënë detaje mbi ngjarjen. Ai tha se viktima dhe autori po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj. Më pas 36-vjeçari ka qëlluar mbi 21-vjeçaren duke e lënë të vdekur në vend, ka plagosur të vëllanë e saj, si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni.