
Gjykata Themelore e Ferizajt ka marrë vendimin për të arrestuarit që janë të dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë, Muhamed Lika.
Sipas prokurorisë, shtatë të dyshuarit, Haki Bela, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka, Rilind Murati, Diamant Gashi dhe Vatan Çaka, u është caktuar masa me 1 muaj në paraburgim.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se lidhur me këtë ngjarje, e cila ka ndodhur më 1 prill, policia arrestoi një ditë më parë 7 të rinj, ku mes tyre 18-vjeçari Rejhan Bela, i cili dyshohet se është dhe personi që ka qëlluar me armë zjarri drejt efektivit.
Mediat kosovare kanë arritur që të zbardhin dhe një pjesë të dosjes së vrasjes së Likës e cila thuhet se ka ndodhur për 47 sekonda.
Sipas dosjes, të rinjtë Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi, kishin përgatitur vrasjen e efektivit Muhamet Lika.
Në fashikujt e dosjes thuhet se ka qenë 18-vjeçari Rejhan Bela ai i cili e ka ndjekur efektivin nga momenti kur ka lënë punën deri në banesën e tij. Pasi e ka takuar, 18-vjeçari ka nxjerrë armën e zjarrit dhe e ka qëlluar me 4 plumba.
“Viktima pas përfundimit të orarit të punës ora 22:53, rrugës për në banesën e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimësi nga madhorët deri te hamja e banesës së tij ku pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, në vend ngjarje janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm dhe nga plagët e marra, viktima Muhamet Lika në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, e pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur”, thuhet në dosjen e publikuar nga media kosovare “Insajder”.
Sipas kamerave të sigurisë e gjithë ngjarja ka ndodhur në pak sekonda. Në dosje shkruhet se nga momenti kur Rejhan Bela ka hyrë në objektin e banesës së efektivit dhe deri në momentin kur ka dalë janë dashur vetëm 47 sekonda.
“nga momenti i hyrjes së të miturit Rejhan në objekt deri në daljen janë 47 sekonda, pastaj rreth orës 22:58, nga kamerat e sigurisë, vërehet duke u kthyer me vrap mbrapa nga kishte ardhur pas kryerjes së vrasjes duke ikur në drejtim të lokalit ”Dukagjini”, përshkruhet në dosje.
Ndërkohë, që menjëherë pas vrasjes 18-vjeçari është takuar me Rilind Muratin i cili dëgjohet teksa i thotë “Bravo ik”.
“pastaj i mituri pas kryerjes së vrasjes ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të lokalit”….” ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi” ku ishin duke vrapuar i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”, paraprakisht nga pamjet e kamerave vërehet i mituri Rejhan Bela së bashku me të pandehurit Rilind Murati dhe Vatan Çaka dhe lëvizjet e të pandehurve tjerë”, shkruhet në dosje.
Sondazh