
Qytetarët kosovarë që jetojnë në diasporë po votojnë këtë të shtunë në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka bërë me dije se aktualisht procesi i votimit po zhvillohet pa ndonjë pengesë.
Ndërkohë, Komisoni Qendror i Zgjedhjeve ka njofuar se deri në orën 11:00 kanë votuar rreth 4,390 votues, pra 21.60%. Procesi i votimit po zhvillohet në 19 shtete të botës, ku të drejtë vote kanë mbi 20 mijë qytetarë të regjistruar.
“Ju njoftojmë se nga komunikimi i vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike, procesi i votimit është duke u zhvilluar pa ndonjë pengesë. Gjithashtu ju njoftojmë se kemi pranuar të dhënat e para të pjesëmarrjes së votuesve në votime deri në orën 11:00. Nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar për të votuar në përfaqësitë diplomatike deri në orën 11:00 kanë votuar 4,390 votues, apo 21.60 për qind”, deklaroi ai.
Votimi në përfaqësi diplomatike ka filluar në orën 07:00 dhe mbyllet në orën 19:00 sipas kohës lokale në secilin vend.