
Shtëpia e pronarit të diskos "Puls" në Koçan, është bastisur ditën e djeshme nga policia, ku janë sekuestruar kompjutera laptopë, disa celularë, dokumentacion dhe sende të tjera.
Sipas një njoftimi, Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se bastisje janë kryer edhe në makinën e pronarit D. J., dhe dy objekte hotelerie, ku po ashtu janë sekuestruar sende të caktuara.
“Me datë 25.03.2025, zyrtarët policorë kanë kryer bastisje në shtëpinë e D.J., veturën e tij “Insignia” dhe dy objekte hoteliere, si dhe në Inspektoratin Shtetëror të Tregut – Zyra në Koçan.
Në shtëpinë e D.J. janë gjetur dhe konfiskuar kompjuterë laptopë, disa celularë, dokumentacione dhe sende të tjera. Në automjet dhe në ambientet e hotelierisë janë sekuestruar disa sende, si dhe janë gjetur dhe sekuestruar dokumentacioni financiar. Në zyrën e ISHT-Koçani u gjetën dhe sekuestruan një kompjuter, një laptop dhe një tabletë, si dhe i gjithë dokumentacioni në lidhje me subjektet juridike në pronësi të D.J”, raportoi sot Ministria e Punëve të Brendshme.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për tragjedinë me 59 viktima në diskotekën "Puls", janë kryer bastisje edhe në 5 lokacione të tjera në Koçan dhe Shkup.
Kujtojmë se tragjedia në një diskotekë në Koçan ndodhi mëngjesin e 16 marsit, ku një zjarr i tmerrshëm i mori jetën 59 personave dhe rreth 200 të tjerë u lënduan.
Deri më tani 24 persona, përfshirë zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë shtetërore janë vënë përpara drejtësisë si përgjegjës për tragjedinë e Koçanit, përmendim këtu re krerët e Komunës së Koçanit, kryetari në largim Ljupço Papazov, ish-kryetarët Ratko Dimitrovski e Nikolço Iliev si dhe ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Beksteshi.