
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është vizituar ditën e sotme nga familjarët e tij në ambientet e selisë së EULEX-it në Prishtinë.
Thaçi udhëtoi ditën e djeshme nga paraburgimi i Hagës drejt varrit të babait të tij për të kryer homazhet, të cilët nuk mundi të ishte pjesë në ditën e ceremonisë mortore.
Ish-presidenti i Kosovës është vizituar fillimisht nga tre vëllezërit e tij, të cilët pas daljes nga godina e EULEX-it janë shprehur shkurtimisht për kamerat se Hashim Thaçi është mirë me shëndet.
“Është mirë me shëndet. Jemi të kufizuar të flasim”, tha Gani Thaçi.
Ndërkohë momentalisht në selinë e EULEX-it ndodhet bashkëshortja e Hashim Thaçit.
Gjykata Speciale firmosi një leje të posaçme dy ditore për Hashim Thaçin, për të vizituar varrin e të atit, si dhe për tu takuar me familjarët e tij. Thaçi mungoi në ceremoninë mortore të babait të tij, pasi Gjykata nuk e lejoi të ishte pjesë. Ish-presidenti i Kosovës mbahet i burgosur në Hagë që prej vitit 2020 i akuzuar për krime lufte.