
E veshur nuse, mes lotësh dhe dhimbjeje i është dhënë lamtumira e fundit 11-vjeçares në Greqi, e cila u godit mizorisht me kaçavidë në qafë nga daja i saj, pasi ajo refuzoi që të kryenin marrëdhënie seksuale.
E ndërsa të miturës i jepej lamtumira, shtëpisë së 37-vjeçarit vrasës i është vënë flaka. Një grup personash të panjohur kanë vënë në shënjestër shtëpinë e 37-vjeçarit si hakmarrje për vrasjen mizore dhe tentativën për përdhunim që ai kreu ndaj 11-vjeçarit.
Në ceremoninë mortore, morën pjesë jo vetëm të afërm dhe familjarë, por edhe qytetarë të zonës së Ilia, aty ku banonte e mitura.
Mësuesja e saj, pas ceremonisë Mortore ka treguar se 11-vjeçarja ka qenë nxënëse me rezultate shumë të mira, teksa shtoi se komunikimi i tyre për mësimet vazhdonte edhe jashtë orarit të mësimit.
Ajo ka treguar se në fletoren e 11-vjeçares Vasiliki nga Ilia, në faqen e fundit ishte shkruar shprehja: “Buzëqeshja nuk zgjati”, në datën 6 mars 2024.
Masakrimi i vajzës 11-vjeçare Vasiliki nga daja i saj ka tronditur Greqinë, duke sjellë dje një situatë kaotike jashtë gjykatës së Pirgos. Familjarët e viktimës dhe dhjetra qytetarë janë vërsulur drejt makinës së policisë, që shoqëronte autorin e ngjarjes drejt gjykatës.
Gjithçka filloi mbrëmjen e së dielës, ku vogëlushja doli nga shtëpia e saj në Myrtia Ilias për të shkuar te gjyshi. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë fiksuar një makinë të zezë, e cila rezultoi se i përkiste dajës së saj.
E mitura ka hipur në automjet sepse ka njohur dajën e saj të cilit i besonte. Këtu fillon thrilleri. 37-vjeçari e ka çuar fëmijën në një zonë rurale dhe ka tentuar ta përdhunojë.
Vogëlushja ka rezistuar dhe kur 37-vjeçari ka kuptuar se ajo do të fliste me prindërit, e ka goditur me një kaçavidë në qafë. Më pas ai braktisi trupin e pajetë të vogëlushes dhe u zhduk.
Autori e prano aktin e tij pa thënë asgjë për motivin e tij. Ai ishte akuzuar edhe para disa vitesh për përdhunim të një të miture dhe ishte vënë para drejtësisë.