
Autoritetet greke kanë arrestuar mesditën e sotme një kandidat për deputet në Parlamentin Evropian në qendrën e votimit të zonës malore Myrtiski në rajonin Rodhopi të Greqisë.
Sipas mediave vendase, kandidati vjen nga radhët e partisë minoritare Partia e Barazisë, Paqes dhe Miqësisë (KIEF/DEB), ndonëse ende nuk është bërë publik emri i tij.
I arrestuari dyshohet se u shpërndante qytetarëve që paraqiteshin në qendrën zgjedhore për të ushtruar të drejtën demokratike, fletë votimi të shënuara me emrin e tij.
Aktualisht nuk dihet se sa fletë votimi ka arritur të shpërndajë përpara se të arrestohej nga policia.
Megjithatë, autoritetet po hetojnë për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes, ndërkohë që kandidati për eurodeputet është dërguar në Repart dhe më pas nesër do të paraqitet në prokurori.