
Një 25-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një fishekzjarri. I riu nga Prizreni nuk ka mundur t’i mbijtojë plagëve dhe fatkeqësisht ka ndërruar jetën paraditen e kësaj të hëne.
Ngjarja e rëndë ndodhi natën e ndërrimit të viteve, e ndërsa i riu Abdurrahman Memaj ishte duke u trajtuar në një spital në Turqi, ku dhe humbi jetën ditën e sotme.
Lajmin e ka dhënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili shprehet se autoritetet janë njoftuar nga familjarët për ndarjen nga jeta e të riut.
Njoftimi i plotë:
“Sot, më 20 janar 2025, rreth orës 11:00, Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren është njoftuar nga një i afërm i familjes se viktima e rastit të ‘Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm’, që ndodhi më 31 dhjetor 2024, ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra,” deklaroi Bytyqi për KosovaPress.
Incidenti ndodhi në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, ku një pikë shitjeje e mjeteve piroteknike shpërtheu rreth orës 21:33 të natës së ndërrimit të viteve. Nga shpërthimi i fuqishëm, Abdurrahman Memaj mbeti i lënduar rëndë dhe u transportua fillimisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku qëndroi deri më 6 janar. Pas përkeqësimit të gjendjes, ai u transferua për trajtim të specializuar në Turqi”.
Policia e Kosovës ka trajtuar rastin si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ka informuar prokurorin e shtetit për zhvillimet e fundit lidhur me këtë ngjarje tragjike e ndërsa autoritetet janë duke punuar akoma për zbardhjen e rrethanave.