Tefik Mustafa, u arrestua nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdare, me pretendimet se ka kryer krime lufte.
Mediat serbe raportojnë se atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Lartë e Beogradit.
Në arsyetimin e këtij vendimi pretendohet se ekziston rreziku i arratisjes dhe ndërhyrjes në procedurë duke ndikuar te dëshmitarët.
“I pandehuri Tefik Mustafa është i akuzuar për kryerje të krimeve të luftës kundër popullatës civile, si bashkëkryes”,- thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë të Beogradit.
Sipas njoftimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit. Vendimi do të mund të apelohet pas tre ditëve të hyjes në fuqi të vendimit.
Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga autoritetet serbe, nën dyshimet për “krime lufte”.
Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.