
Një revoltë e papritur ka shpërthyer mëngjesin e kësaj të marte në burgun e Korfuzit, ku disa të burgosur shqiptarë dhe gjeorgjianë kanë refuzuar që të kthehen në qelinë e tyre.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se të burgosurit kanë protestuar kundër kontrolleve që u janë kryer atyre në qeli. Si shenjë proteste ata i kanë vendosur flakën dyshekëve dhe disa objekteve të tjera brenda sektorëve E dhe Z.
Menjëherë forcat e zjarrfikëses mbërritën në vendin e ngjarjes ku dhe bënë të mundur neutralizimin e flakëve, ndërkohë që i pranishëm ishte dhe një prokuror si dhe një negociator për të bërë të mundur qetësimin e situatës.
Sakaq, deri më tani thuhet se ky incident është shënuar pas pakënaqësisë të së dënuarve sa i përket kontrolleve të fundit që u janë bërë në qeli, ku janë sekuestruar dhe disa telefona.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të identifikuar organizatorët e rebelimit dhe për të vlerësuar masat e mëtejshme disiplinore.