
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qendrën tregtare të Albi Mall në Prishtinë, ku katër persona kanë tentuar të grabisnin një automjet transportues me para.
Sipas njoftimit të policisë, mësohet se rreth orës 10:30 kanë regjistuar të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person.
Gjithashtu, personi i plagosur është roja e sigurimit dhe është dërguar menjëherë në spital, ndërsa ka bërë operacion dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, mësohet se përgjegjës për këtë krim është një shtetas serb me emrin Millosh Vukojeviq. Të dyshuarit u arratisën drejt Hajvalisë me automjetin e tyre me targa gjermane, teksa i kanë vënë flakën për mos identifikimin e tyre.
Policia e Kosovës është duke punuar për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Njoftimi i policisë:
Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para.
Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rasti.