
Prokuroria në Maqedoni të Veriut njofton se ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 27 personave në lidhje me tragjedine në klubin e natës në Koçan.
Kryeprokurori Ljupço Koçevski, ka dhënë detaje lidhur me hetimet, teksa bën me dije në mesin e të hetuarve janë dhe 3 persona juridikë, të dyshuar për “Krime të rënda kundër sigurisë publike”.
Kryeprokurori maqedonas thekson të gjithë të dyshuarit nuk kanë vepruar aspak në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse të klubit. Nga sigurimi i provave gjatë hetimeve, Koçevski paralajmeroi dhe hetim të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
“Të gjithë të dyshuarit në periudhën nga viti 2012 deri më 16 mars 2025, me kompetenca dhe përgjegjësi të ndryshme, nuk kanë vepruar aspak në përputhje me rregulloret për masat mbrojtëse te klubit, duke shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe pronën.”
Gjykata Themelore në Koçan caktoi masën e paraburgimit pë 30 ditë për 13 persona, mes të cilëve edhe ish ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Maqedonia e Veriut përcolli të enjten për në banesën e fundit, trupat e viktimave nga zjarri tragjik që përfshiu klubin e natës në qytetin lindor të Koçanit.
Kujtojmë se tragjedia në një diskotekë në Koçan ndodhi mëngjesin e 16 marsit, ku një zjarr i tmerrshëm i mori jetën 61 personave dhe mbi 150 të tjerë u lënduan. Lidhur me këtë ngjarje, autoritetet gjyqësore kanë caktuar masën e paraburgimit afatshkurtër për 16 persona.