
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur përgjatë natës në Serbi. Sipas mediave vendase mësohet se zjarri përfshiu një banesë në lagjen Salajka në Novi Sad.
Si pasojë gjetën vdekjen gjashtë anëtarët e një familje, përfshirë 4 fëmijë të cilët ishin nga dy deri në shtatë vjeç.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, i cili bëri me dije se deri më tani dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një skuter që ishte i lidhur me rrjetin elektrik.
“Trupat e viktimave janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa pjesëtarët e MPB-së po punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike”, tha Daçiç ndër të tjera.
Pjesëtarët e Administratës për Situata Emergjente të Serbisë dhe zjarrfikësit shuan zjarrin, ndërsa policia dhe prokurori publik nisën hetimet në vendin e ngjarjes.