
Gjykata Themelore e Ferizajt ditën e djeshme ka marrë vendimin për të arrestuarit që janë të dyshuar për vrasjen e efektivit të policisë, Muhamed Lika.
Sipas prokurorisë, shtatë të dyshuarit, Haki Bela 25 vjeç, Edmond Lika 21 vjeç, Shkëlqim Kuka 22 vjeç, Rilind Murati 21 vjeç, Diamant Gashi 21 vjeç dhe Vatan Çaka 19 vjeç, u është caktuar masa e sigurisë me 1 muaj në paraburgim.
Gjashtë nga të dyshuarit kanë dhënë deklaratën e tyre para Gjykatës në lidhje me veprimet të cilat janë bërë në bashkëpunim.
Ndërkohë, Haki Bela është shprehur se ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur, ndërsa thekson se është totalisht i pafajshëm në vrasjen e policit, ku gjithashtu ka thënë se nuk kanë pasur kurrë probleme me të ndjerin.
Haki Bela është edhe vëllai i të miturit R.B., 17-vjeçar, i cili dyshohet se ishte autori kryesor i vrasjes së rreshterit policor, Muhamed Lika.
“Personalisht e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika, ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur por shton se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit. Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe atë rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacionin policor në Kaçanik i kanë rreth 100 metra distancë dhe se ai e frekuenton çdo ditë atë rrugë”, është shprehur në seancën e djeshme
Ndërkohë, i dyshuari Diamant Gashi, 21 vjeç, gjithashtu ka mohuar të jetë i përfshirë në këtë ngjarje, ku shprehet se kur ka ndodhur vrasja ka qenë në shtëpinë e tij.
“Në ditën kritike ka qenë në shtëpi, nuk ka kryer asnjë nga veprimet të cilat u cekën në kërkesën për caktimin e masës nga ana e Prokurorisë. Pra ndihet tërësisht i pafajshëm dhe shton se lajmin për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika e ka marrë nga ana e prindit të tij dhe atë në mëngjes të ditës së nesërme”, është deklaruar në Gjykatë Gashi.
Rilind Murati, 21-vjeçar, i cili ka shërbyer për një vit u si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka mohuar të jetë përfshirë në këtë rast.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës. Nuk kam tjetër çka të deklaroj përpos që është plotësisht i pafajshëm dhe nuk është i involvuar në këtë çështje penale”, citohet Murati.
Ndër të tjera, Vata Çaka 19 vjeç është shprehur se ka shkuar vetëm për kureshtje në vendin e ngjarjes, pasi sipas tij ka dëgjuar alarmet e policisë dhe është bërë thjesht kurioz.
“I mbështet deklarimet e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të deklarojë, shton se nuk është absolutisht i involvuar në këtë çështje penale. Natën kritike pasi që ka dëgjuar alarme të shumta të Policisë ka shkuar në vend ngjarje vetëm nga kureshtja për të parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi që paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjalë për një viktimë, veteran i UÇK-së, gjithashtu shton faktin se këtë e ka bërë sepse e ka prindin veteran të UÇK-së dhe i njëjti ende vuan nga pasojat e traumave të luftës dhe absolutisht në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’ia bëjë një gjë të tillë një ish- veterani të luftës së UÇK-së”, është deklarimi i 19-vjeçarit siç përshkruhet në dosje.
Edmond Lika, 22-vjeçar, është i pandehuri i pestë, gjithashtu ka theksuar se nuk ka të bëjë asgjë me këtë ngjarje.
“Mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka deklaron, shton se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale dhe në vendin ku ka qenë së bashku me Shkëlqim Kukën ka qenë krejt rastësisht”, është deklaruar Lika.
Sakaq, Shkëlqim Kuka, 22-vjeçar, ka mohuar të jetë pjesëmarrës në këtë vrasje.
“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të shtojë përpos faktit se nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me këtë çështje penale”, thuhet në dosje.
Sondazh