Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ditën e sotme ndodhej në Bruksel, ku ka marrë pjesë në takimin e liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Zyra e kryeministrit të Kosovës ka treguar edhe detaje nga ky takim, ku Kurti ka kërkuar heqjen e masave nga Prishtina.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe se duhen tëq hiqen”, thuhet në njoftim ndër të tjera.
Ndërsa, sa i përket Planit të Rritjes, Kurti ka thënë se Kosova ka qenë një nga vendet e para që ka dorëzuar agjendën e reformave. Gjithashtu, Kurti ka konfirmuar mbështetjen për Procesin e Berlinit.
Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.