Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Kosova është sfidë e madhe e sigurisë politike dhe njerëzore.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Bruksel ku pritet që të zhvillojë bisedime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve,Vuçiç shprehet se ai do të mundohet që të bëjë gjithçka që të zgjidhim këto probleme, por nuk ka besim se pala tjetër do të ketë të njëjtën gatishmëri.
Vuçiç evidenton se themelimi i Asociacionit është një kusht i Serbisë për të vazhduar bisedimet, ndërsa shton se ka frikë nga provokimet e tyre por do të qëndrojë i vendosur për të arritur synimet e tij.
“Kosova mbetet sfidë e madhe e sigurisë, politike dhe njerëzore. Ne do të sillemi në mënyrë konstruktive, do të mundohemi të bëjmë gjithçka që të zgjidhim problemet me dialog, t’i zgjidhim gjërat me dialog. Unë nuk besoj në vullnetin e palës tjetër për të marrë pjesë në krijimin e Asociacionit. Unë Kam frikë nga provokimet e tyre, por ne do të qëndrojmë të vendosur dhe seriozë”,- tha Vuçiç.
Gjithashtu, Vuçiç tha se do të takohet Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimin, Gert Jan Köppmann, teksa theksoi se takimi me Kopman është veçanërisht i rëndësishëm.
“Kopman është një drejtor që është shumë i rëndësishëm për ne për axhendën e rritjes dhe për të gjitha këto reforma rreth tregut të përbashkët, vijave të gjelbra, korridoreve të gjelbra dhe gjithçka tjetër”,- tha Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të zhvillojnë një takim në Bruksel në kuadër të raundit të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve midis vendeve.
Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i Unionit për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, si dhe i pranishëm do të jetë edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.