Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me atë të Serbisë, Petarf Petkoviq në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak që drejtoi dialogun midis palëve tha se gjatë këtij takimi u arrit dakordësi për disa pika, ndërsa nuk u pranuan shumë të tjera.
Sipas kryenegociatorit serb, Petar Petkoviq është Kosova ajo që po e vret dialogun, pasi nuk pranon nënshkrimin e marrëveshjes bazë që është ajo e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shumë pikave të tjera të rëndësishme që do t'i shërbejnë përmirësimit të marrëdhënieve midis vendeve.
“Bislimi dje në Bruksel, refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, e quajti Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare inekzistente, e kritikoi Elektroseverin si jonormal, hodhi poshtë draft-statutin e BE-së për Asociacionin, të gjitha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po e vret dialogun!”,- shkruan ditën e sotme Petkoviq.
Megjithatë, Bislimi dje tha se ishte Serbia ajo që refuzon të pranojë Marrëveshjen Bazike në tërësi dhe nuk pranon të zbatojë pjesë të saj.
“Pala serbe refuzoi të përfshihet në diskutim për dakordimin e planit të sekuencimit si dhe në arritjen e formalizimit të marrëveshjes, bazuar në garancat e kërkuara në takimin e liderëve javën e kaluar.
Diskutimi rreth çështjes së personave të zhdukur ekspozoi sërish që pala serbe është duke e sabotuar procesin, duke nxjerrë vazhdimisht kërkesa të reja me qëllim të bllokimit të procesit”,- u tha në njoftimin e djeshëm të Zyrës së Kryeministrit.