
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se krimet e përsëritura ndaj grave në Kosovë, tregojnë dështim të sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Sipas tij, dënimet e ulëta dhe mosndëshkueshmëria janë shkelje mbi të drejtat e viktimave.
Kurti shtoi se do të ndërrmarrin masa për të vendosur llogaridhënien dhe për të kërkuar drejtësinë me çdo kusht aty ku ajo mungon.
“Ajo që ndodhi te premten dhe të martën, këto krime kundër grave tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta, jo rrallë herë mosndëshkueshmërisë. Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për vendosjen e drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta janë shkelje mbi të drejtat e viktimave. Këto të mbuluar me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në detyrë të sistemit të drejtësisë nuk falen nga qytetarët tanë. Si zë i tyre kemi përgjegjësinë të ndërmarrim masa për të vendosur llogaridhënien, aty ku është e domosdoshme e për të kërkuar drejtësinë me çdo kusht aty ku ajo mungon”,- tha kryeministi i Kosovës, Albin Kurti.
Kujtojmë se Kosova është tronditur kohët e fundit, nga ngjarjet makabre të krimit në familje. Në më pak se një javë, 2 gra gjetën vdekjen si pasojë e vrasjes nga burrat për shkak të konflikteve familjare.
Viktima, Gjyljeta Ukella u ekzekutua brenda banesës nga bashkëshorti i saj Edmond Lajqi mëngjesin e së martës. Lajqi vrau bashkëshorten e tij dhe më pas telefonoi policinë për t’ i treguar krimin makabër. Kujtojmë se edhe më herët Lajqi ishte dënuar nga Gjykata për dhunë në familje.
Ngjarja e ndodhur në datën 12 prill, në Qendrën e Punëve Sociale të Ferizajt, ku 36 vjeçari, Valon Aliu qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij, Erona Cokli, 21 vjeç, ndërsa plagosi dhe vëllain e saj 15 vjeçar.
Për këto ngjarje ka pasur edhe më herët reagime të zyrtarëve të shtetit, të cilët i dënuan krimet e përsëritura që po kryheshin në familje, ndërsa bënë thirrje që autorët të marrin dënimin e merituar që ngjarje të tilla të evitohen në të ardhmen e afërt.