Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamjet e makinës në Leposaviq ku i ishte vendosur një ekspoloziv. Policia më herët deklaroi se ka arritur ta largojë eksplozivin pa e shpërthyer nga vendngjarja, me ndihmën e KFOR-it.
Për këtë ndodhi, ministri kosovar ka fajësuar Serbinë, teksa thotë se kur ata humbin, betejat politike kthehen te terrorizmi.
“Kur Serbia humbet betejat politike, në mungesë argumentesh kthehet te retorika luftnxitëse dhe aktet e dhunës deri në terrorizëm. Tendenca për kontrollin e pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë vazhdon, por çdo ditë me më pak sukses. Zërat kundërshtarë në radhët e komunitetit po shtohen çdo ditë, për të çliruar qytetarët nga gangsterët dhe kuazi politikanët pro Serbi.
Kërcënimeve, djegies së pronave, vendosjes së eksplozivit dhe rrezikimit të jetës por dhe shtypjes së atyre që mendojnë drejtë e ndryshe, i ka kaluar koha. Tani, shteti ligjor është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës sonë. Siguri, drejtësi dhe mirëqenie për të gjithë pa dallim dhe llogaridhënie për shkelësit e ligjit," shkuran Sveçla.