Studentët kosovarë të Fakultetit Juridik kanë arritur sukses në garën botërore “Willem C Vis International Arbitration Moot”, në Vjenë të Austrisë, duke arritur të shkonin deri në gjysmëfinale. "Willem C Vis International Arbitration Moot" është garë e arbitrazhit ndërkombëtarë komercial dhe cilësohet si gara më e madhe e drejtësisë në botë.
Presidentja e Kosovës uron ekipin e studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, të cilët kanë marrë pjesë në një garë mes ekipeve nga 400 universitete të ndryshme të botës, duke u renditur të tretët më të mirë.
"Sukses historik! Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës, arriti në top 3-shen më të mirë në botë", shkruan presidentja.
Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata po ashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.
"Bravo studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe Trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj", shkruan krenare Vjosa Osmani. "Kjo ekipë këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka. Krenare sa më ska", vijon ajo.