
I dërguari i posacëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka vizituar sot Kosovën. Diplomati europian është pritur mëngjesin e sotëm nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Gajtë takimit të tyre, Osmani ka zbuluar se është diskutuar për dialogun mes dy vendeve, për sigurinë në rajon dhe integrimin europian të Kosovës.
Presidentja deklaron se Kosova është dëshmuar si pala konstruktive në dialog, e angzhuar për paqe, ndërsa ka theksuar se mbajtja e masave të padrejta të BE-së, po dëmton jo vetëm qytetarët por edhe dialogun dhe se meriton të trajtohet në mënyrë të barabartë në këtë proces.
"Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së. Në takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sørensen, diskutuam dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës. Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë por edhe balansin e nevojshëm në dialog", thuhet në postimin e Osmanit në Facebook.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, po zhvillon këtë të hënë një vizitë në Kosovë, për herë të parë prej se e mori detyrën në fillim të shkurtit, për t’u takuar me zyrtarë të lartë të vendit.