Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend pas sulmit terrorist në Ibër-Lepencë.
Gjatë takimit me zyrtarët e lartë, Osmani ka vendosur në vëmendje cënimin e lartë që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve të vazhdueshme që janë kryer kundër infrastrukturave të rëndësishme shtetërore.
Pjesë e diskutimeve në këtë takim ka qenë dhe rëndësia e reagimeve të institucioneve përgjegjëse ndaj kësaj situate duke shprehur vlerësim të lartë për punën e aturoriteteve për menaxhimin e zhvillimeve të fundit.
“Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor. Në vazhdim të ditës, Presidentja do t’i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend”, thuhet në postimin e Zyrës së Presidentes.