Ish-zv.kryeministri shqiptar nga radhët e BDI-së, Artan Grubi njoftoi më herët që të tërhiqet nga politika, pasi u shpall “non grata” tre ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Lidhur me këtë sanksion të vendosur ndaj Grubit ka reaguar edhe ish-ambasadori shqiptar në Maqedoni, Shaban Murati.
Përmes një postimi në “Facebook” Murati lë të kuptohet se futja në “listën e zezë” e Grubit dhe të familjarëve të tij, është një “shuplakë” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për “servilizmin e pështirë politik” që prej vitesh kanë treguar ndaj palës maqedonase.
“Në 9 dhjetor 2024 SHBA shpallën non grata ish-zëvendëskryeministrin shqiptar (BDI) të Maqedonisë së Veriut, për korrupsionin e ndërhyrjes në gjykatat e Shkupit për të shpëtuar nga dënimi penal Sasho Mijallkovin, shefin maqedonas të shërbimit sekret maqedonas, i shpallur edhe ai non grata nga SHBA, shërbim që ka qenë dhe është nga armiqtë më të egër të faktorit shqiptar atje.
Aq flagrant dhe negativ është ky servilizim i pështirë politik dhe etnik shqiptar, saqë edhe qeveria amerikane u neverit dhe e dënoi me shpalljen non grata jo vetëm ish-zëvendëskryeministrin shqiptar, por edhe anëtarët e familjes se tij.
Për të treguar sesa i gjërë është degradimi etnik, politik dhe moral i krerëve politikë shqiptarë po sjellim shembullin e një kryetari të një partie të rëndësishme politike shqiptare në Maqedoni, i cili publikisht “i betohej për besnikëri deri në vdekje” shefit të shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijallkov. Një betim, që i bëhet dhe duhet t’i bëhet vetëm idealit kombëtar shqiptar dhe flamurit kombëtar shqiptar, përdhoset në këtë derexhe kuislinge. Po kjo parti e këtij kryetari, e cila merrte pjesë në qeverinë e kryeministrit Georgievski në vitin 2001, qëndronte qetësisht në qeverinë maqedonase, duke gëzuar benefitet maqedonase, në kohën kur artileria maqedonase bombardonte dhe masakronte fshatrat shqiptare të Tetovës”, shkruan diplomati, duke theksuar se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk mund të ngrënë zërin kur përfaqësuesit e tyre shqiptarë i betohen “për besnikëri deri në vdekje” shërbimeve sekrete maqedonase.
Ndër të tjera, ish-ambasadori ka sjellë si shembull edhe rastin e dekorimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në vitin 2015 nga kryetari i Bashkisë së Preshevës.
“Në 2015 kryetari shqiptar i bashkisë së Preshevës dekoron me dekoratë të posaçme kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të shtetit shtypës të popullit shqipar të Luginës së Preshevës. A kanë më të drejtë pas kësaj shqiptarët e Preshevës të hapin gojën të ankohen në zyrat diplomatike perëndimore për diskriminim etnik të tyre nga presidenti i shtetit serb Aleksandar Vuçiç, i cili u tund diplomatëve perëndimorë dekoratën shqiptare të dhënë nga shqiptarët për mirënjohje ndaj Serbisë për “të mirat”, që Serbia u ka bërë shqiptarëve të Luginës?”, shkruan ai ndër të tjera.
Postimi i plotë:
Çfarë populli jemi?
Në 9 dhjetor 2024 SHBA shpallën non grata ish-zëvendëskryeministrin shqiptar (BDI) të Maqedonisë së Veriut, për korrupsionin e ndërhyrjes në gjykatat e Shkupit për të shpëtuar nga dënimi penal Sasho Mijallkovin, shefin maqedonas të shërbimit sekret maqedonas, i shpallur edhe ai non grata nga SHBA, shërbim që ka qenë dhe është nga armiqtë më të egër të faktorit shqiptar atje.
Aq flagrant dhe negativ është ky servilizim i pështirë politik dhe etnik shqiptar, saqë edhe qeveria amerikane u neverit dhe e dënoi me shpalljen non grata jo vetëm ish-zëvendëskryeministrin shqiptar, por edhe anëtarët e familjes se tij.
Për të treguar sesa i gjërë është degradimi etnik, politik dhe moral i krerëve politikë shqiptarë po sjellim shembullin e një kryetari të një partie të rëndësishme politike shqiptare në Maqedoni, i cili publikisht “i betohej për besnikëri deri në vdekje” shefit të shërbimit sekret maqedonas Sasho Mijallkov. Një betim, që i bëhet dhe duhet t’i bëhet vetëm idealit kombëtar shqiptar dhe flamurit kombëtar shqiptar, përdhoset në këtë derexhe kuislinge. Po kjo parti e këtij kryetari, e cila merrte pjesë në qeverinë e kryeministrit Georgievski në vitin 2001, qëndronte qetësisht në qeverinë maqedonase, duke gëzuar benefitet maqedonase, në kohën kur artileria maqedonase bombardonte dhe masakronte fshatrat shqiptare të Tetovës. Çfarë bëri më tepër Kuislingu norvegjez në vitet e luftës së dytë botërore, kur Norvegjia ishte e pushtuar nga trupat naziste?
A kanë gojë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të ankohen për diskriminim e tyre etnik nga shteti maqedonas, kur krerët e tyre politikë shqiptarë i betohen “për besnikëri deri në vdekje” shërbimit sekret maqedonas?
Në 2015 kryetari shqiptar i bashkisë së Preshevës dekoron me dekoratë të posaçme kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të shtetit shtypës të popullit shqipar të Luginës së Preshevës. A kanë më të drejtë pas kësaj shqiptarët e Preshevës të hapin gojën të ankohen në zyrat diplomatike perëndimore për diskriminim etnik të tyre nga presidenti i shtetit serb Aleksandar Vuçiç, i cili u tund diplomatëve perëndimorë dekoratën shqiptare të dhënë nga shqiptarët për mirënjohje ndaj Serbisë për “të mirat”, që Serbia u ka bërë shqiptarëve të Luginës?
Rrënjët e së keqes shqiptare shkojnë shumë thellë…Këto qendrime nuk janë vetëm turpi personal faqezi i atyre funksionarëve të mjerë politikë shqiptarë në Serbi dhe në Maqedoni, por është turp i gjithë popullit. Është turp kombëtar!
O Zot! Çfarë populli jemi vallë, që u lëpijmë këmbët shtypësve dhe japim jetën për qeveritë serbe dhe maqedonase, që i kanë masakruar dhe përbuzur shqiptarët në shekuj?