Një operacion antidrogë është zhvilluar në Itali, ku është shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Në lidhje me këtë operacion kanë rënë në pranga nëntë persona, ku mes tyre dhe disa shqiptarë. Grupi akuzohet se shpërndante drogë në zonën e Como, për klientë VIP.
Mediat italiane raportojnë se personat që trafikonin drogën në zonë ishin të rinj shqiptar që shkonin në Itali me 3-mujorsh. Atyre u sigurohej ushqimi dhe shtëpia, dhe më pas pagueshin për të shpërndarë lëndën narkotike.
Hetimet për dosjen më të fundit janë bërë ndërmjet viteve 2022 dhe 2023. Për personat e arrestuar është dhënë masa e sigurisë “arrest me burg” për 5 prej tyre, dhe “arrest shtëpie” për 4 të tjerë.
Gjatë hetimeve u sekuestruan 29 mijë euro dhe një mijë franga zvicerane, gjysmë kilogrami kokainë dhe një motoçikletë, si dhe 25 blerës droge (përdorues) të denoncuar në Prefekturë.
Po ashtu pjesë e këtij grupi kriminal ishte dhe Markeljan Toli 25 vjeç, i cili u arrestua në dhjetor të 2022-shit me 60 gram kokainë.
Tre muaj më vonë, në shkurt 2023, Klajdi Frroku, 19 vjeç, u arrestua në të njëjtën mënyrë. Në makinën e tij me qira iu gjetën 40 doza kokainë dhe në dhomën e tij 300 gramë të tjera.