Mbi 300 qytetarë të Kosovës janë bllokuar sot në Serbi, në pikë kufitare me Kroacinë. Lajmi është bërë i ditur disa shtetas të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi.
Sipas sekretarit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli kjo gjë ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion.
“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin 'Batrovci', Serbi - Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haxholli në Facebook.
Qytetarët e bllokuar kanë konfirmuar për mediat se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e tyre.
Kujtojmë se dje Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka votuar “pro” kërkesës së Kosovës për anëtarësimin në KiE. Për anëtarësimin e saj në KiE, 171 deputetë votuan pro, 29 ishin kundër dhe 11 abstenuan, ndërsa asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.
Ndërkohë që vlen të theksojmë se fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës në KiE duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Europës në maj, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.
Ndërkohë që ishin të shumtë ata që e mbështetën vendimin që Kosova të bëhej pjesë e KiE-së, kishte të tjerë nga përfaqësuesit e delegacionit serb dhe ai hungarez që e kundërshtuan këtë amendament me arsyen se Kosova nuk kishte plotësuar kushtin për Asociacionin për pakicat serbe në veri.