Ish-kryetari i Bashkisë së Selanikut, Giannis Boutaris është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, pasi për një kohë të gjatë përballej me sfida shëndetësore.
Ky politikan vizionar dhe biznesmen i njohur u largua nga kjo botë mbrëmjen e së shtunës, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme për Selanikun dhe për të gjithë Greqinë. Boutaris, që drejtoi Selanikun nga viti 2011 deri në 2019, u bë i njohur për qëndrimet e tij të guximshme dhe reformat që përfshinë qytetin gjatë një periudhe të vështirë ekonomike për vendin.
Ai ishte një personalitet i dashur dhe i respektuar nga shumë, por edhe i kundërshtuar nga të tjerë për pikëpamjet e tij progresive. Përveç angazhimit në biznesin e verës, ku vijoi traditën familjare dhe ndihmoi në zhvillimin e industrisë greke të verës, Boutaris ishte një aktivist i palodhur për çështje të ndryshme sociale dhe kulturore.
Ai kontribuoi në mbrojtjen e trashëgimisë hebreje të Selanikut, mbështeti paradën e parë të homoseksualëve në qytet dhe krijoi ura lidhjeje me fqinjët, përfshirë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke sfiduar paragjykimet.