Kancelari gjerman, Olaf Scholz, bëri thirrje për një angazhim më të madh nga ana e Kosovës dhe Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit, ku morën pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve partnere.
Scholz theksoi rëndësinë e krijimit të një dinamike të re për të ecur përpara dhe u bëri thirrje liderëve nga Beogradi dhe Prishtina që të mos lejojnë që e kaluara t’i pengojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. “E ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura,” tha ai.
Kancelari u angazhua për një përfshirje personale në këtë proces, duke u shprehur se do të punojë ngushtë me të dyja vendet për të shfrytëzuar këtë mundësi. Procesi i Berlinit, i lançuar nga Angela Merkel në vitin 2014, shënon sivjet dhjetë vjetori i tij, me synim afrimin gradual të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.
Scholz theksoi se vetëm Kosova nga gjashtë shtetet e rajonit nuk është kandidat zyrtar për anëtarësim në BE, duke e cilësuar Procesin e Berlinit si instrumentin më të mirë për bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimit evropian.
Gjatë samitit, ai paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve, përfshirë një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal dhe një marrëveshje për lëvizjen dhe qasjen në arsimin e lartë.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e këtij samiti për të reflektuar mbi arritjet e kaluara dhe për të parë përpara drejt një të ardhmeje ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Bashkimit Evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në samit, nënvizoi përkushtimin e tij për ta afruar rajonin më shumë drejt BE-së.