Numri i viktimave ka arritur në 13 pas shembjes së çatisë në një stacion hekurudhor në Serbi. Fillimisht, ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, raportoi për 8 të vdekur dhe disa persona të bllokuar nën rrënoja. Fatkeqësisht, ekipet e shpëtimit kanë gjetur trupat e pajetë të 5 personave të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 13.
"Ne e dinim që kishte edhe pesë persona të tjerë nën rrënoja, por nuk e dinim gjendjen e tyre," deklaroi Daçiç për mediat.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 paradite, kur çatia e stacionit u shemb, duke zënë poshtë njerëzit që ishin ulur në pjesën e jashtme. Në operacionet e kërkimit morën pjesë rreth 80 ekipe shpëtimi nga i gjithë vendi, duke përdorur makineri të rënda për heqjen e rrënojave.
Ndërtesa e stacionit, e cila ishte ndërtuar në vitin 1964, kishte kaluar nëpër rinovime në vitin 2021 dhe sërish këtë vit. Kryeministri Millosh Vuçeviç ka deklaruar se do të merren masa ndaj atyre që janë përgjegjës për mirëmbajtjen e saj.
"Kjo është një ditë shumë e vështirë për Novi Sadin dhe për gjithë Serbinë," u shpreh Vuçeviç, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. Qeveria e ka shpallur të shtunën ditë zie në nder të viktimave.