Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar pasditen e kësaj të mërkure në Cetinjë të Malit të Zi. Burime për mediat bëjnë me dije se autori 42-vjeçar, Aco Martinoviq ka vrarë 10 persona dhe ka plagosur katër të tjerë.
Zanafilla e gjithë ngjarjes së rëndë ka nisur në një tavernë pasditen e datës 1 janar 2025, ku 42-vjeçari pasi kishte konsumuar alkool për shumë orë shkoi mori armën e zjarrit në banesë dhe u rikthye në lokalin "Velestovo”.
Pas një debati, Aco Martinoviq filloi të qëllojë me armë zjarri duke lënë të vdekur 7 persona, pronarin e lokalit, familjarët e këtij të fundit, madje dhe familjarët e tij. Siç raportuam dhe më herët në mesin e viktimave kishte dhe dy fëmijë.
Ndërkohë, sipas informacioneve paraprake mësohet se ky shtetas pas masakrës në lokal u zhvendos në lokacione të tjera, konkretisht në tre vendodhje të tjera, ku dhe ka vrarë tre qytetarë të tjerë.
Policia është vënë në ndjekje të këtij shtetasi, teksa raportohet se momentalisht ai është i pa armatosur.
Kujtojmë se më herët qeveria e Malit të Zi i ka shpallur tre ditë zie, më 2,3 dhe 4 janar, për shkak të këtij rasti.
Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Millojko Spajic u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme.
Fjala e kryeministrit:
Lajmi mbuloi me të zeza vendin tonë. Ky akt i pakuptimtë shkaktoi pikëllim dhe hidhërim të pamasë tek secili prej nesh. Nuk ka fjalë ngushëllimi. Në komunikim me ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtorin e Drejtorisë së Policisë mora garanci se po bëjnë absolutisht gjithçka për të nxjerrë para drejtësisë autorin e këtij krimi të rëndë.
Ushtria e Malit të Zi do t'i bashkohet policisë në kërkim. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe të plagosurve sonte. 4 të lënduar rëndë ndodhen në QKGK ku kanë në dispozicion të gjithë kujdesin mjekësor në QKG, mjekët aktualisht po luftojnë për jetën në tavolinat e operacionit.
Në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të shqyrtojmë urgjentisht të gjitha opsionet, përfshirë ndalimin e plotë të armëmbajtjes. Armët nuk duhet të jenë në rrugë dhe në duart e atyre që mund të dëmtojnë të tjerët.
Prandaj do të kërkoj nga drejtuesit e sapoemëruar të sektorit të sigurisë që nga nesër të ofrojnë zgjidhje për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë. Thirrja publike për rekrutimin urgjent të një numri shtesë policësh do të shpallet në ditën e parë të punës, pa pritur opinionin e KE-së dhe Këshillit të Evropës, kështu që urgjencën do ta shpjegojmë më vonë.
Edhe një herë i bëjmë thirrje të gjitha komunave që të anulojnë të gjitha koncertet sonte. Qeveria ka marrë vendim në seancë urgjente – nga nesër në vendin tonë do të jetë tri ditë zie.