
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka prezantuar paketën e re të masave ekonomike të përhershme të ndërmarra nga qeveria e tij me vlerë 1.1 miliardë euro, paketë që do t’i shkojë në ndihmë 2.7 milionë qytetarëve që përfitojnë ndihma ekonomike.
Kjo paketë do lehtësojë barrën ekonomike kryesisht të tre sektorëve kryesorë nisur nga lehtësimi i qiramarrësve, mbështetjen e pensionistëve si dhe shtimin e fondeve për investime publike. Gjatë një komunikimi live nëpërmjet televizionit grek, Mitsotakis u shpreh se me rritjen dhe përmirësimin e ekonomisë greke, përfitime të drejtpërdrejta do të ndihen dhe tek qytetarët.
“Unë e di se sa e vështirë është të kalojnë muajin bashkëqytetarët tanë që jetojnë me qira dhe lehtësimi i tyre është prioriteti im i parë. Prandaj vendosëm që çdo vit dhe konkretisht në muajin nëntor shteti t’u kthejë qiramarrësve një qira të plotë, për t’u lehtësuar shpenzimet”, u shpreh kreu i qeverisë greke.
Këto masa u shpallën menjëherë pas publikimit të të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave, i cili bëri të ditur se Greqia ka arritur një suficit primar prej 4.8% të PBB-së (11.4 miliardë euro) dhe një suficit fiskal përfundimtar prej 1.3%, çka e lejon përdorimin e suficitit shtesë këtë vit, sipas rregullave të reja të BE-së.