Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në Greqi. Sipas mediave vendase mësohet se një 22-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar me armë zjarri.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit, në rrugën Dodekanision në Peristeri.
Sipas asaj që është bërë me dije nga mediat greke deri më tani mësohet se personat të cilët po udhëtonin me një mjet tip “Audi” kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit tjetër, “Smart”.
Nga të shtënat mbeti i plagosur 22-vjeçari shqiptar, i cili ishte pasagjeri i Smart. Ndërkohë, shoferi i Smart-it braktisi të riun shqiptar të mbuluar në gjak dhe u zhduk.
I riu është dërguar me autoambulancë në spital, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur detaje nga ngjarja, si edhe personat që ndodheshin në të dy mjetet.