Hapësire reklamuese

Rajoni

Diskutimet për anëtarësimin e Kosovës në KiE, publikohet lista e delegacioneve që do flasin

Shkruar nga Newsbomb

Diskutimet për anëtarësimin e Kosovës në KiE,

Ditën e sotme pritet që të mbahet në Strasburg mbledhja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ku do të marrin pjesë delegacione nga vende të ndryshme të Evropës për të diskutuar këtë vendim përpara se të votojnë pro ose kundër saj. Midis delegacioneve të huaja, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare do të kemi përfaqësues nga Shqipëria dhe Kosova, ndërkohë që është publikuar edhe lista e plotë e atyre që do të marrin pjesë në diskutim.

Sipas mediave kosovare, anëtarët e delegacionit të Kosovës që do të flasin në Amablenë Parlamentare të Këshillit të Europës janë 3 deputetët nga Kosova, Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci. Në delegacionin e Shqipërisë, janë katër përfaqësues që do ta marrin fjalën: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka dhe Etilda Gjonaj.

Në listën e përgjithshme, renditen gjithsej 59 përfaqësues nga shtete të ndryshme që do të flasin, ndër të cilët 6 janë serbë.

Paraprakisht, në emër të grupeve politike do të flasin Lulian Bulai nga Rumania, Alexis Tsipras nga Greqia, Frank Schëabe nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zsolt Nemeth nga Hungaria.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X , Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, ka paralajmëruar debat historik në Asamblenë Kombëtare të Këshillit të Evropës përpara se vendet e përfshira të votojnë pro ose kundër këtij vendimi.

“Një debat historik do të nisë në Strasburg: A do t’ia hapë PACE derën anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës?”,- thotë Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane.

Ndërsa mësohet se më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Nëse Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës këtë të martë, atëherë çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht për të pranuar apo jo Kosovën si anëtaren më të re të organizatës.

Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj. Këshilli i Ministrave të Jashtëm në Këshillin e Evropës takohet një herë në vit, tradicionalisht në muajin maj.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese