
Gjyljeta Ukelli u vra mëngjesin e kësaj të marte nga bashkëshorti i saj Edmon Lajqi. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Pejës, në shtëpinë e çiftit të bashkëshortëve.
Për vdekjen e saj së fundmi ka reaguar edhe një prej familjarëve. Me shpirtin e “copëtuar” nga kjo tragjedi, Dardane Balaj, shkruan se Gjyljeta Ukelli ishte një grua e rrallë e cila asnjëherë nuk u ndal së luftuari për familjen e saj.
“Lamtumire Dud ‘kështu te thërrisja prej dashnisë Gjyljeta Ukella, nuk te pata kunat por të desha si një motër të vogël, pastaj te pata edhe motër edhe shoqe, lamtumire Gjyljeta e bukur, ishe femër e rralle dhe shume e zonja.
Edin e dashurove me shpirt me te gjitha te metat e tij , familjen e mbrojte nga vuajtja çdo herë, sakrificat dhe vuajtjet i more me vete, por pse ta mori jeten Edi qe aq shume e mbrojte dhe e dashte, por Gjyljeta ndoshta mendoj qe vuajtjet tua u mbyllen, tani pusho e qetë”, shkruan në postimin e saj në “Facebook” e afërmja e viktimës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 08:15 në banesën e çiftit në rrugën Bill Clinton në Pejë. Edmond Lajqi vrau bashkëshorten e tij dhe më pas telefonoi policinë për t’ i treguar krimin makabër. Kujtojmë se edhe më herët Lajqi ishte dënuar nga Gjykata për dhunë në familje.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe presidentja Vjosa Osmani. Nga Forumi për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, presidentja tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për të ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë.
Mësohet se viktima, Gjyljeta Ukelli prej dy dekadash ka punuar si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë.
“Të tronditur thellë nga vrasja makabre e koleges tonë,punëntores shëndetësore te stomatologjisë të ndjerës Gjyljeta Ukella. E ndjera Gjyljetë per dy dekada shërbeu si asistente e stomatologut në Poliklinikën Stomatologjike në Pejë. Do të mbetet ne kujtimet e secilit koleg për punën dhe urtësinë që e ka karakterizuar përsonalitetin e Gjyljetes”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë.