
Prostestat studentore në Serbi, të cilat shpërthyen pas tragjedisë së Novi Sadit më 1 nëntor të 2024, do të vazhdojnë sot me takimin kryesor në qendër të Kragujevcit për 15 orësh. Studentët kanë marshuar nga qytete të ndryshme të Serbisë prej 4 ditësh, teksa paralajmëruan protestën masive këtë të shtunë. Ata kanë arritur natën e kaluar në qendër të Kragujevcit, ku janë pritur nga një numër i madh i qytetarëve.
Studentët e Universitetit të Kragujevcit i janë bashkuar bllokadës së sotme. Sipas planit të publikuar nga këta studentë në Instagram, mitingu mbahet në Bulevardin Lepeniçki afër rrokaqiellit Zastava, me moton “Takohemi në Sretenje”, Dita e Shtetësisë së Serbisë, duke filluar nga ora 09:00 deri pas mesnatës, duke simbolizuar 15 orë bllokadë për 15 viktimat e tragjedisë.
Mësohet se studentët do të nderojnë viktimat e tragjedisë dy herë, në 11:52 dhe 23:52. Rregullat e protestës, janë që askush të mos shkaktojë incidente, ndalohet përdorimi i mjeteve piroteknike dhe ndezja e zjarreve, dhe do të lejohen për qarkullim vetëm shërbimet emergjente.
Studentët shprehen në rregullore se duhet denoncuar te gardianët çdo shkelje të rregullave të protestës, çdo formë sjelljeje të papërshtatshme, persona me armëmbajtje, persona të dyshimtë dhe provokatorë të mundshëm.
Gjatë protestës do të jetë edhe një ekran i madh, ku pjesëmarrësit do të lënë gjurmët dhe përvojën e tyre nga bllokada, bëjnë të ditur studentët.
Protestat e studentëve serbë kanë shpërthyer që prej tragjedisë së Novi Sadit, nga e cila 15 persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën të plagosur. Protestat studentore u përhapën në të gjithë Serbinë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon përgjegjësi dhe drejtësi.
Presidenti Aleksandër Vuçiç ka akuzuar se pas protestave qëndrojnë shërbimet e huaja me qëllim për ta rrëzuar atë nga pushteti. Deri më tani si përgjigje ndaj protestave të vazhdueshme, dorëheqje ka dhënë kryeministri Millosh Vuçeviq, gjë e cila u pa si një strategji e Vuçiq për të fituar në kohë.