Studentët serbë u mblodhën sërish sot në Beograd, duke bllokuar kryqëzimin kryesor të qytetit dhe duke shkaktuar një ndalim të plotë të qarkullimit. Protesta, e paralajmëruar më herët, u zhvillua me moton “Ejani në Mostar, nëse keni guxim”.
Manifestimi nisi para Pallatit të Drejtësisë, ku studentëve iu bashkuan edhe akademikë, duke forcuar kështu mesazhin e tyre kundër korrupsionit qeveritar dhe për dorëheqjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Fakultetet në Vozhdovac bllokuan rrugët që lidhin autostradën me Beogradin e Ri, duke izoluar tërësisht kryqëzimin e njohur të Mostarit. Ndërkohë, studentët e Fakultetit të Arteve ndaluan qarkullimin në autostradë dhe rrethrrotullimin kryesor të kryeqytetit.
Protestuesit kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi për humbjen e jetëve të 15 personave dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve, pas një incidenti në një stacion hekurudhor të rindërtuar në Novi Sad. Me slogane dhe thirrje si “Të gjithë në bllokada”, ata deklaruan se nuk do të ndalen derisa kërkesat e tyre të merren seriozisht.