Hapësire reklamuese

Rajoni

Policia e Kosovës gjen armatim të madh në Veri, është i serbëve që organizuan sulmin terrorist në Banjskë

Shkruar nga Newsbomb
Policia e Kosovës gjen armatim të madh në Veri, është i
Pamje nga armatimet e sekuestruara në veri

 Policia e Kosovës ka zhvilluar një megaoperacion në Veri ditën e djeshme në veri, ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme armatimesh dhe municione luftarake.

Sipas mediave kosovare, municionet luftarake të gjetura mendohet se kanë lidhje me sulmin në Banjskë në shtator të vitit të shkuar, pasi dyshohet se ato i përkasin grupeve terroriste serbe, të cilët zhvilluan sulmin në këtë vend.

Armatimet janë zbuluar në dy zona të Veriut të Kosovës, në rrugën Kolashin  dhe në atë të Çetës së Minatorëve, të cilët janë pjesë e komunsë së Mitrovicës.

Duke u nisur nga njoftimi i policisë, rapoortohet se në Kolashin janë gjetur në një pusetë kanalizimi tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake, të cilat më pas janë sekuestruar nga policia.   

 “ARMËMBAJTJE PA LEJE – Rr. Kollashini, Mitrovicë Veri  14.06.2024-15:00. Nga njësia e hetimeve rajonale, mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimi, ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti është nën hetim”,- thuhet në njoftim.

Ndërkohë, pjesa tjetër e armatimeve raportohet se është zbuluar në një shtëpi të braktisur në rrugën “Çeta e Minatorëve”.

Rr. Çeta e Minatorëve, Mitrovicë Veri 14.06.2024-16:30. Është raportuar se nga njësia e hetimeve, në një shtëpi të pa banuar, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit. Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt”,- vijon raportimi.

Në një konferencë për media, drejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka deklaruar se armatimet kanë qenë të pranishme në këto dy pika për një kohë të gjatë, dhe dyshohet se ato kanë lidhje me dy të dyshuarit kryesorë, të shpallur në kërkim , Zharko Cvetkoviq dhe Marijan Radojeviq, të cilët akuzohen se kanë lidhje me sulmin e Banjskës në shtator. 

Që të dyja lokacionet kanë emra, lokacioni i parë lidhet me emrin Marijan Radojeviq, ndërsa lokacioni i dytë ndërlidhet me Zharko Cvetkoviq… dhe që të dytë janë në kërkim për rastin e Banjskës… Ne konsiderojmë se ky armatim dhe këto pajisje ndodhen aty për një kohë më të gjatë”,- ka deklaruar Elshani.

Operacionin e policisë së Kosovës në veri e ka përshëndetur edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Zveçla. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, Zveçla shkruan se falë vigjilencës së shtuar policore në veri, po bëhet e mundur asgjësimi i elementëve kriminalë dhe tendencës së Serbisë për të destabilizuar rajonin.

Sërish armë, eksplozivë e municion i konfiskuar në veri të vendit dhe kjo falë vigjilencës së shtuar të institucioneve tona dhe vendosmërisë për asgjësimin e secilit element kriminal dhe tendencës destabilizuese që vjen nga Beogradi.

Bashkërendimi mes institucioneve të sigurisë dhe rritja gjithnjë e më shumë e bashkëpunimit me qytetarët në veri të vendit është garancë e mosndalimit në betejën tonë për shtet të së drejtës ku rendi dhe ligji mbizotërojnë mbi krimin e terrorizmin”,- shkruan Zveçla.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese