
Policia e Kosovës ka arrestuar 21 vjeçarin Agron Gashi, si të dyshuarin kryesor për plagosjen e trefishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kosovë.
Sipas mediave kosovare, arrestimin e të riut e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Niçi, i cili ka pohuar se ai momentalisht është ndaluar për 48 orë.
“Personi i dyshuar për plagosjen e trefishtë mbrëmë në Pejë, pasi ka qenë në arrati pas një pune intensive policore në koordinim të plotë me prokurorin për hetime të krimeve të rënda është ndaluar për 48 orë, pas arrestimit të tij dhe pas lokalizimit nga policia e Kosovës”,- ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Niçi.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Pejës në Kosovë, ku 21 vjeçari, Agron Gashi plagosi me armë zjarri 3 të rinj pas një mosmarrëveshje të çastit me to.
Pas kryerje së aktit, Gashi u arratis nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që u mobilizuan forcat policore kosovare për kapjen dhe prangosjen e tij.
Nisur nga ajo që raportuam më herët, 1 nga 3 të plagosurit është në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi plumbat e kanë goditur në pjesën e qafës dhe gjoksit.