
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar së fundmi në mbledhjen e qeverisë mbi ngjarjet e rënda që regjistruan 4 viktima të ndodhura tri ditët e fundit që kanë tronditur mbarë opinionin publik.
Kurti ka kërkuar që të githa këto ngjarje të renditura njëra pas tjetrës në një hark kohor kaq të shkurtër, të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm nga organet kompetente. Ndër të tjera ai i bën thirrje mbarë shoqërisë për një reflektim mbi akte të tilla që nuk mund të normalizohen kurrë.
“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla.
Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë.
Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit.
Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”, tha ai.
Në vetëm tre ditë, katër persona kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në Kosovë. Ngjarja më e fundit ndodhi mbrëmjen e kaluar në Prishtinë, ku një person u vra dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Më 23 mars, në Vushtrri, një 19-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij. Vetëm një ditë më vonë, një 58-vjeçar vrau një grua 42-vjeçare dhe më pas i dha fund jetës në fshatin Stanofc.