
Një person është prangosur ditën e sotme në Leposaviq të Kosovës, pasi dyshohet se përdorte identitet të rremë për të lëvizur në vend.
Sipas Policisë së Kosovës, i arrestuari ka pasur në posedim 2 karta identiteti, me emër dhe shtetësi të ndryshme, në njërën rezultonte shtetas kosovar, ndërsa në tjetrën serb në momentin që është ndaluar nga policia.
Shtetasi serb i identifikuar si Marko Knezheviç është dërguar në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës dhe me urdhër të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë.
Autoritetet kosovare bëjnë me dije se kanë ushtruar kontrolle në banesën e të ndaluarit në Mitrovicë të Veriut, ku janë gjetur dokumente të ndryshme e laptop që mund të kontribuojnë në avancimin e hetimeve.
Burime nga autoritetet e sigurisë në Kosovë bëjnë të ditur se po hetohet pista e spiunazhit, pasi ekzistojnë dyshime që ai të jetë i inflitruar nga Serbia.
I arrestuari, mendohet se ka lidhje me ish-shefin e inteligjencës serbe, Aleksandar Vulin, sidomos gjatë kohës kur ky shërbente si udhëheqës i së ashtuquajturës zyra e Serbisë për Kosovë.
Gjithashtu, shtetasi M.K., për një kohë ka shërbyer edhe si gazetar i rrjetit “Mosti”, e cila është një organizatë mediatike në Kosovë në gjuhën serbe.