
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka pritshmëri që Serbia dhe Kosova do t’i përmbahen marrëveshjes së nënshkruar 1 vit më parë. Sipas tij është me urgjencë aplikimi i masave që do të mundësojnë që të dy vendet të arrijnë që të plotësojnë pikat e marrëveshjes.
“Nëse ata dështojnë ose vazhdojnë të dështojnë të zbatojnë atë për të cilën janë marrë vesh, pastaj do të ketë pasoja serioze. Dhe këto pasoja janë të lidhur në rrugën e integrimit. Sepse një pjesë e marrëveshjes së dakorduar është që zbatimi dhe progresi i arritur në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit do jetë tani i lidhur me progresin e tyre në rrugën integruese të BE-së”, tha zëdhënësi BE-së.
Ndërsa shtoi se paaftësia e këtyre 2 vendeve për t’ju përmbajtur kushteve të marrëveshjes do të ndikojë rrugën e tyre në Bashkimin Europian.
“Paaftësia për të zbatuar do të ndjehet nga të dyja palët në një kontekst më të gjerë për të vazhduar në rrugën europiane”, u shpreh Stano.
Ndërsa i pyetur nga gazetarët mbi shkeljen e marrëveshjes nga ana e Serbisë, mbi themelimin e një ekipi që do ta kryesojë ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për të luftuar anëtarësimin në Kosovë, Stano nuk preferoi që të jepte përgjigje konkrete por tregoi vetëm pritshëmritë e BE-së në lidhje me këto 2 vende.
“Nuk do të hyj në detaje se çfarë ka njoftuar presidenti Vuçiq dhe çfarë synon të bëjë. Do të them pritshmërinë bazike të Bashkimit Europian për të dyja nga Serbia dhe Kosova: Pa asnjë vonesë të mëtejshme të fillojnë të zbatojnë marrëveshjen që të dyja u pajtuan më shumë se një vit më parë në Ohër. Kjo është e rëndësishme”, përfundoi deklaratën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.