Papa Françesku hapi Portën e Shenjtë, duke shënuar fillimin zyrtar të Vitit Jubilar të Shpresës. Pas lutjes së ratit, Ati i Shenjtë iu afrua derës së Jubileut, e cila është e fundit në të djathtë të pesë dyerve që çojnë në Bazilikën e Shën Pjetrit, dhe e hapi atë, e cila ishte prej bronzi.
Gjatë ceremonisë morën pjesë kryeministrja Giorgia Meloni, kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, dhe presidenti i Rajonit të Lazios, Francesco Rocca. Pavarësisht masave të rrepta sigurie, mbi 30 mijë besimtarë kishin mbushur sheshin përpara bazilikës dhe rrugën Via della Conciliazione.
Fakti që Papa Françesku e kaloi derën e shenjtë me karrocë, u interpretua si referencë e forte ndaj imazhit të kësaj porte në vitin 2000 kur Shën Gjon Pali II, i pllakosur nga sëmundja, e coi Kishën në mijëvjeçarin e ri. E ky imazh ishte akti i parë i Vitit të Shenjtë që Bergoglio donte t’i kushtonte shpresës. Dhe pikërisht shpresa, si kundërpërgjigje ndaj vujatjeve të botës, ishtë në qendër të predikimit të kreut të Kishës Katolike.
“Shpresa që lind këtë natë nuk toleron përtacinë e atyre që shijojnë komoditetin e vet, nuk lejon maturinë e rreme të atyre që nuk dalin nga rruga e vet nga frika e kompromentimit dhe llogarive që bëjnë në kokë duke menduar vetëm për veten. Ajo është e papajtueshme me jetën e qetë të atyre të cilët nuk e ngrenë zërin kundër të keqes dhe kundër padrejtësive që u bëhen të varfërve. Përkundrazi, shpresa e krishterë kërkon nga ne guximin të shpalosim përgjegjshmërinë e dhembshurinë tonë.”
Shpresa nuk ka vdekur, ajo është e gjallë dhe mbështjell jetën tonë përgjithmonë përsëriti Papa, duke kujtuar se nata e Krishtlindjes është “nata në të cilën dera e shpresës hapet gjerësisht në botë”. Motoja e këtij vitit jubilar, “Pelegrinë të Shpresës”, korrespondon me rolin që Françesku sheh për veten dhe kishën në një botë plot kriza dhe konflikte.
Ndërkohë për herë të parë që pas shkatërrimit nga zjarri në prill të vitit 2019, katedralja ikonike “Notre-Dame de Paris” ka pritur besimtarët për meshën e Krishtlindjes
Kryepeshkopi i Parisit ka shprehur gëzimin dhe mirënjohjen për restaurimin e katedrales që tashmë ka lënë vend për ribashkimin e besimtarëve me këtë vend të shenjtë.