
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot në Washington me ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit, Jim O’Brien.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidentja Osmani nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook. Osmani shkruan se ka patur një diskutim përmbajtësor me O’Brien mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë të Kosovës me aleatët amerikanë për të kaluar sfidat e përbashkëta dhe për të mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe parimet demokratike të vendit.
Gjithashtu, Osmani shton se pjesë e bisedës ishte edhe dialogu me Serbinë dhe rëndësia e rolit të SHBA-së për suksesin e këtij procesi.
“Takimet në Washington D.C. i filluam me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien.
Diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë.
Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi”,- shkruan Presidentja Vjosa Osmani në rrjetin social, Facebook.
Osmani ndodhet në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s.