Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryesuesin e OSBE-së, Ian Borg, njëherësh ministër për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë e Maltës.
Presidentja Osmani dhe ministri Borg kanë diskutuar për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me OSBE-në, përfshirë mbështetjen e OSBE-së në të kaluarën dhe bashkëpunimin aktual me institucionet vendore.
Në këtë frymë diskutimesh, Osmani ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në institucionet euroatlantike do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën, thuhet në njoftimin për media.
Ndërkaq në këtë takim presidentes Osmani ju bënë të ditura prioritetet e OSBE-së, e nga ana tjetër u diskutua edhe për raportet e mundshme bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe zhvillimet e fundit politike në rajon.
“Në takim është diskutuar edhe për raportet bilaterale midis Kosovës dhe Maltës, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për zhvillimet e fundit politike në rajon. Në diskutim me ministrin Borg, presidentja ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në ballë të progresit në rajon dhe më gjerë sa i përket forcimit të sundimit të ligjit dhe demokracisë si dhe promovimit të të drejtave të njeriut”, deklarohet në njoftimin e publikuar.