
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, një nga forumet më prestigjioze globale për çështjet e sigurisë dhe politikës së jashtme.
Siç ka njoftuar më herë Presidenca, gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Osmani do të mbajë takime dhe do të marrë pjesë në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.
Presidentja do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.