
Forcat speciale greke kanë zhvilluar një operacion policor ditën e sotme në burgun e Janinës, e cila ka denigruar në një revoltë nga të burgosurit.
Sipas mediave të shtetit helen, operacioni u ndërmor pas informacioneve se në këtë burg nuk zbatohej ligji, por kontrollohej nga të burgosur me rrezikshmëri të lartë që vuajnë dënimin në këtë vend.
Hetimi i policisë kishte nisur 4 muaj më parë, pasi kishte dyshime se një grup brenda burgut të Stavrakiout në Janinë ushtronte kontroll të plotë mbi instancat e brendshme të tij.
Duke u nisur raportimet e mediave, “Bossi” i burgut është identifikuar si shqiptari Edmond Përbasha, i dënuar më parë për trafikim të lëndëve narkotike.
Policia evidenton se shqiptari kishte krijuar një rrjet bashkëpunimesh që vijonin nga brenda burgut e deri jashtë tij, përfshirë policë, gardianë e zyrtarë të lartë të këtij institucioni, ndërsa ai ishte “koka” që kontrollonte të gjitha veprimtaritë e paligjshme, përfshirë këtu edhe shpërndarjen e drogës në këto ambjente.
Për këtë autoritetet kanë ndaluar nëndrejtorin e burgut dhe dy efektivë policie, ndërsa është arrestuar edhe një gardian i burgut.

Hetimi nisi pas informacioneve që mbërritën në zyrat në EL.AS. i cili raportonte se një i burgosur i burgut, me ndihmën e disa individëve, përfshirë një oficer policie dhe një oficer burgu, merrte para nga shitja e drogës nëpërmjet partnerit të tij.
Konkretisht, “njerëzit” e të burgosurit shisnin drogë, merrnin paratë dhe ia jepnin partneres së tij. Ajo shkonte në burgje dhe me marrëveshjen e një punonjësi policie, një oficeri burgu dhe dy nëpunësve civilë, ia jepte paratë të dashurit të saj me certifikata false të firmosura nga zyrtarët.
Forcat speciale EKAM dhe MAT, bashkë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm kanë ndërhyrë në burg prej orës 06.00 të mëngjesit për të ekzekutuar disa urdhër arreste si dhe për të kryer kontrolle për drogë, armë etj. Urdhër arrestet mësohet se janë për persona brenda e jashtë burgut, përfshirë policë, gardianë e zyrtarë.

Kontrollet kanë shkaktuar revoltë ndër të burgosurit, të cilët kanë djegur dyshekë e sende të tjera. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar 3 zjarrfikëse, ndërkoë që forca të shumta policore vazhdojnë operacionin. Disa prej të burgosurve mësohet se janë transferuar. Gjithashtu bëhet me dije se në vendngjarje ka mbërritur edhe Prokurori.